Forcat kineze kanë kryer stërvitje detare dhe ajrore pranë Tajvanit për ditë të tëra këtë muaj, pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi ishullin, të cilin Kina e pretendon si të sajin.

Tajvani ka kryer stërvitjet e veta për të simuluar mbrojtjen kundër një pushtimi kinez, personeli i Forcave Ajrore pajisi një avion luftarak F-16V me raketën anti-anije Harpoon të prodhimit amerikan në një stërvitje “gatishmërie luftarake” në një bazë ajrore. Me një raketë të tillë, forcat ukrainase kishin fundosur krenarinë ruse, anijen Moskva, në Detin e Zi.
Gjashtë F-16V më vonë fluturuan në misione zbulimi dhe trajnimi gjatë natës, duke përfshirë dy të armatosur me raketa, sipas forcave ajrore të Tajvanit.

“Përmirësimi i aftësive ushtarake”
“Përballë kërcënimit të stërvitjeve të fundit ushtarake nga forcat komuniste kineze, ne kemi qëndruar vigjilentë ndërsa kemi krijuar konceptin e “fushëbetejë kudo dhe stërvitje në çdo kohë” për të mbrojtur sigurinë kombëtare”, thanë nga “Forcat Ajrore” të këtij vendi në një deklaratë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Sun Li-fang tha se Taipei dënoi veprimet e Kinës në ditët e fundit, por se situata ishte një mundësi e mirë për forcat e Tajvanit për të përmirësuar aftësitë e tyre.
Tajvani ka përmirësuar flotën e tij të vjetër luftarake në vitet e fundit, nga frika e veprimeve ushtarake nga Pekini dhe për shkak se forcat e tij ajrore janë nën presion të vazhdueshëm nga inkursionet gjithnjë e më të shpeshta kineze në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit.

Në nëntor, Tajvani vendosi skuadriljen e tij të parë të F-16V-ve, një version i përmirësuar dhe shumë më i sofistikuar në krahasim me F-16-të e tjerë, të cilët datojnë në vitet 1990.