Robert Lewandowski është rikthyer në Mynih për të marrë gjërat personale, por teksa ishte duke u larguar nga kryeqendra e Bavarisë, hasi në një turmë të tifozëve të Bayernit, që nuk e kanë pranuar mirë largimin e tij.

“Hala Madrid” – ishte thirrja e tifozëve Bavarezë që njohën sulmuesin polak teksa largohej me makinën e tij, duke e ngacmuar këtë të fundit, që zgjodhi t’i bashkohej Barcelonës, pas një lufte të vërtetë me drejtuesit gjatë verës.

Robert Lewandowski ishte në vitin e fundit të kontratës dhe kërkoi me ngulm largimin drejt klubit katalunas , duke detyruar drejtuesit e Bayernit të pranojnë ofertën e gjigantit nga La Liga pak ditë më parë.

Sulmuesi 33-vjeçar qëndroi për tetë sezone te Bayerni i Mynihut, ku luajti 375 ndeshje dhe shënoi 344 gola, megjithatë la zhgënjim te tifozët bavarezë, për mënyrën se si u largua gjatë kësaj vere.

Ai u dha lamtumirën po ashtu ish-bashkëlojtarëve, derisa tashmë ka hapur kapitullin e ri te Barcelona.