Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një ftesë për takim Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Takimi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, i cili nuk ka dhënë detaje por mësohet se do të mbahet të martën në mëngjes.

Përpos kryeministrit Kurti, në këtë takim do të jetë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Këshilli Grevist i BSPK, i përfaqësuar nga kreu i saj, njëherit kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, me kohë kishte kërkuar një takim me kryeministrin Kurti për të diskutuar rreth kërkesave të tyre.

Kurti nuk kishte takuar Këshillin Grevist ndërsa kishte pasur takim vetëm me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin, por pa ndonjë rezultat.

Sindikalistët kërkojnë nga 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit për paga, ndërsa Qeveria e Kosovës, përmes një pakoje të prezantuar këtë fillim muaj kishte ofruar nga 50 euro deri në përfundim të këtij viti për të gjithë zyrtarët publikë.

Së fundmi, edhe përplasjet mes zyrtarëve qeveritarë dhe sindikalistëve ishin shpeshtuar dhe me fjalor më të rënduar duke hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit.

Greva në BSPK ka nisur më 25 gusht ndërsa vijoi edhe më 1 shtator kur duhej që nxënësit të ktheheshin në bankat shkollore. Përpos mësimdhënësve, edhe administrata komunale është në grevë duke refuzuar të kryejnë shërbime./kp/